




Ka qenë një mbrëmje aspak e qetë ajo e djeshmja mes Luiz Ejllit dhe Kiara Titios, dyshes tashmë më të komentuar të “Big Brother VIP”, të cilët sado të afërt që janë me njëri-tjetrin, herë pas here kanë diskutime e debate që kryesisht vijnë nga këngëtari, por këtë herë ishte pak më ndryshe. Shkurt ata janë dy persona që kanë probleme lidhjesh, edhe pse nuk janë në një lidhje dhe situata e mbrëmshme ishte pikërisht e tillë e që na bëri të kuptojmë disa gjëra për secilin prej tyre.





E para: Të dy dolën në “origjinë”. Kiara shfaqi Bricjapin brenda vetes dhe pranoi që disa gjëra nuk mund t’i ndajë me askënd, as me Luizin edhe pse i tha që është njeriu më i afërt që ka në atë shtëpi, ndërsa po ashtu pranoi se ka nevojë për hapsirën e vet kur është e ngarkuar emocionalisht dhe nuk do që të rrijë me askënd. Po ashtu u vu re, edhe nga vetë fjalët e moderatores,





që reagimi i saj erdhi pasi kishte “duruar” shumë këto kohë dhe si një Bricjap i vërtetë shpërtheu me argumenta dhe ton të ngritur pasi nuk mund të mbante dot më. Dicka shumë e vështirë kjo për t’u pranuar nga një Gaforre si Luizi, që jo vetëm do të shprehë disa herë në ditë atë që ndjen për Kiarën, t’i rrijë afër, të përfshihet me të, por edhe reagimin e ka emocional dhe nuk është se dëgjon shumë edhe kur i flasin. Ah po, është edhe pak egoist kur vjen fjala tek emocionet dhe ndjenjat. Pak si shumë…Megjithëse të dy janë egoistë në momente të caktuara, qoftë edhe për lojë.





E dyta: Kiara mendon edhe për lojën teksa qëndron me Luizin. Kështu, një nga pikat që përmendi ajo për ngarkesën që kishte, ishte fakti që Luizi nuk e kishte lënë të qetë të fliste e debatonte me Oltën, dicka që sipas moderatores mund ta nxjerrë të dobët në sy të banorëve dhe publikut dhe për këtë mund të ketë të drejtë. Në fakt, publiku e vlerëson një njeri që “i lufton vetë betejat e veta” dhe Tito këtë po përpiqet të bëjë, por Luizi ndoshta nuk e kupton që sa të fortë e bën, aq edhe e dëmton.





Ndërkohë vetë këngëtari nga ana tjetër, edhe pse pranon se “nuk ka fishekë” kundër Kiarës dhe me cdo veprim që bën ndaj saj niset nga ndjenjat dhe emocionet, në fakt le të themi që edhe ai mendon për lojën. Ndoshta e ka në plan të dytë, por nuk është fare rastësi që pjesa më e fortë e debatit të tyre dje nisi pikërisht pasi banorët e “grupit” tjetër i thanë që ai nuk është i fortë pa Kiarën. Nëse nuk do jenë të kujdesshëm, shumë shpejtë mund të jenë më shumë se c’duhet të varur nga njëri-tjetri.





E treta: Publiku është i ndarë në dy pjesë. Nuk është sekret që Luizi ka mbështetje të madhe, si gjatë votimeve ashtu edhe në rrjetet sociale dhe mendimi i fansave të tij për banorët e tjerë ndikohet shumë edhe nga marrëdhënia që këngëtari ka me këta banorë. Për shembull, deri dje Luiz dhe Kiara ishin më të mrekullueshmit e shtëpisë, ndërsa pas diskutimeve dhe sqarimeve që patën, një pjesë e këtij publiku mendon se moderatorja po e shfrytëzon Ejllin për lojën e saj. Madje disa prej tyre jaë aq drastikë sa kërkojnë që ai “mos të merret më me të” dhe që ajo “të largohet nga shtëpia”.





Gjë që ka aspak ose shumë pak gjasa që do të ndodhë, por gjithsesi. Ndërkohë ka edhe një grup tjetër pikërisht tek këto fansa që mendojnë se Luizi në fakt është duke e tepruar me afrimitetin e tij, duke i dhënë të drejtë Kiarës. Edhe ato që nuk i japin të drejtë kësaj të fundit, këshillojnë këngëtarin që të përqëndrohet më shumë tek loja dhe se marrëdhënia me moderatoren duket të jetë jo më shumë se pjesë e kësaj loje.





E katërta dhe e fundit: Cfarëdo që të ndodhë mes tyre, edhe debate më të forta se ky i fundit që deri më tani ka qenë më i forti, në fund Luizi jo vetëm që do të dijë të bëjë batutën e duhur, por gjithmonë do arrijë që ta bëjë Kiarën dhe të tjerët për të qeshur.
Tani na mbetet vecse të shohim si do shkojë loja e ciftit tonë që nuk është fare cift dhe sa do të ndryshojë historia e rrjedhimisht edhe rrjedha e lojës së tyre brenda “Big Brother”.




